Kompanitë e naftës do të hedhin në gjyq qeverinë, duan kompensim për llogaritje të gabuar të çmimit
Importuesit e karburanteve paralajmërojnë padi ndaj qeverisë për dëmshpërblim, duke kundërshtuar metodologjinë e Bordit të Transparencës për çmimin e naftës.

Që prej riaktivizimit të Bordit të Transparencës për Hidrokarburet më 26 mars 2026, autoritetet kanë ndërhyrë rreth 30 herë në përcaktimin e çmimeve të karburanteve. Sipas operatorëve të tregut, metodologjia aktuale nuk reflekton kostot reale të importit dhe operimit, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare për kompanitë.
Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave dhe Kryeministrit Edi Rama, kompanitë më të mëdha importuese argumentojnë se kërkesat e tyre për rishikimin e formulës së llogaritjes së çmimeve nuk janë marrë parasysh dhe paralajmërojnë përshkallëzimin e çështjes në rrugë gjyqësore.
Përplasja mes çmimeve FOB dhe CIF
Një nga kundërshtimet kryesore lidhet me bazën e llogaritjes së çmimeve. Operatorët pretendojnë se Bordi përdor referencën “Platts FOB” (Free on Board), e cila nuk përfshin kostot e transportit dhe sigurimit. Ndërkohë, sipas tyre, tregtia ndërkombëtare e karburanteve prej vitit 2024 realizohet kryesisht me kontrata “Platts CIF”, ku transporti dhe sigurimi përfshihen në çmimin final dhe e rrisin atë me rreth 45 deri në 50 dollarë për ton.
Sipas kompanive, ndërkohë që çmimi i shitjes është përcaktuar mbi bazën FOB, administrata doganore ka llogaritur TVSH-në mbi bazën CIF, duke krijuar një diferencë prej rreth 4.7 lekësh për litër dhe duke rënduar më tej kostot e operatorëve.
Importuesit pretendojnë humbje prej 8.7 lekësh për litër
Në argumentimin e tyre, kompanitë theksojnë se formula aktuale nuk merr në konsideratë rritjen e kostove operative gjatë viteve të fundit, përfshirë pagat, sigurimet shoqërore, qiratë dhe efektet e inflacionit.
Sipas Bordit, marzhi bruto i operimit për importuesit është llogaritur në nivelin 3 lekë për litër, ndërsa operatorët pretendojnë se kostoja reale arrin rreth 4 lekë për litër. Në tregun e pakicës, marzhi i njohur nga formula është 12 lekë për litër, ndërkohë që sipas kompanive shpenzimet reale janë afërsisht 15 lekë për litër.
Vetëm nga kjo diferencë metodologjike, importuesit pretendojnë një humbje prej rreth 4 lekësh për litër. Kur kësaj i shtohet edhe diferenca prej 4.7 lekësh për litër që lidhet me përllogaritjen e TVSH-së, humbja totale arrin në 8.7 lekë për litër karburant.
Rrezik për falimentime dhe kërkesë për ndërhyrje urgjente
Kompanitë paralajmërojnë se vazhdimi i kësaj situate po i detyron të operojnë me humbje dhe se disa operatorë të vegjël ndodhen pranë falimentimit. Sipas tyre, mungesa e një rishikimi të menjëhershëm të metodologjisë rrezikon seriozisht vijueshmërinë e aktivitetit në tregun e karburanteve.
Në shkresën drejtuar institucioneve shtetërore, operatorët kërkojnë marrjen e masave brenda 10 ditëve për korrigjimin e situatës. Në të kundërt, ata deklarojnë se do t’i drejtohen gjykatës kompetente për të kërkuar kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga, sipas tyre, llogaritja e çmimeve nën kosto.
Dëmi i pretenduar arrin në 7 milionë euro
Burime nga sektori bëjnë të ditur se dëmi financiar i përllogaritur deri tani nga operatorët e tregut i afrohet vlerës së 7 milionë eurove. Kompanitë argumentojnë se ndërhyrja e Bordit në përcaktimin e çmimeve dhe elementëve të kontratave tregtare përbën një kufizim të ndjeshëm të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe kërkojnë rishikim të menjëhershëm të kuadrit rregullator.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)